Sigurimi i depozitave – ASD, marrëveshje me homologët italianë
Agjencia e Sigurimit të Depozitave të Republikës së Shqipërisë nënshkroi këtë javë një marrëveshje bashkëpunimi me Fondin Ndërbankar të Mbrojtjes së Depozitave të Republikës së Italisë. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, Genci Mamani dhe homologu i tij italian, Giuseppe Boccuzzi.
Kjo marrëveshje synon rritjen e bashkëpunimit midis dy autoriteteve, përmes shkëmbimit të eksperiencave dhe forcimit të kapaciteteve njerëzore, me qëllim zhvillimin e skemave të sigurimit të depozitave në juridiksionet përkatëse në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
Sipas njoftimit zyrtar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, marrëveshja përbën një zhvillim të rëndësishëm për institucionin, në zbatim të politikave të saj për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me institucionet homologe. Marrëveshja është një hap i rëndësishëm, edhe duke marrë në konsideratë profesionalizmin dhe ekspertizën që institucioni italian ka në administrimin e sigurimit të depozitave dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme.
ASD shprehet e bindur se kjo marrëveshje do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve profesionale, përmes shkëmbimit të informacionit dhe komunikimit të ndërsjelltë lidhur me çështje të spektrit rregullativ.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.