Sigurimi i detyrueshëm – AMF dorëzoi projektligjin e ri
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përgatitur projektligjin e ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.
Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv, Ervin Koçi, bëri të ditur sot se ky projektligj i është paraqitur Ministrisë së Financave, madje një kopje edhe deputetëve të Komisionit të Ekonomisë.
Ligji i ri pritet të mundësojë aplikimin e sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm motorik, si edhe të rregullojë funksionimin e Fondit të Kompensimit për dëmet nga mjetet e pasiguruara.
Zoti Koçi theksoi edhe njëherë se tregu i sigurimeve është më problematiku nën mbikëqyrjen e këtij institucioni. Ai ngelet i pazhvilluar dhe i varur nga produktet e detyrueshme.
Një nga problemet më të mëdha të tregut është funksionimi i Fondit të Kompensimit për dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara. AMF bën të ditur se vlera totale e dëmeve të bartura që nga vitit 2002 kishte arritur në rreth 3 miliardë lekë.
Gjatë raportimit në Kuvend, drejtuesit e AMF thanë se shlyerja e tyre pritet të përfundojë brenda këtij viti, ndërsa nuk do të lejohet akumulimi i dëmeve të reja që nuk paguhen me vite.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.