Sigurimi i makinave – Do të ketë bonus-malus, por jo dëmshpërblim direkt
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka propozuar projektligjin e ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, që pritet t’i japë fund një odiseje disavjeçare të zvarritjeve për rregullimin e segmentit më të madh, por edhe më problematik të tregut të sigurimeve.
Ligji i ri do të mundësojë aplikimin e sistemit bonus-malus, sipas të cilit primet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve do të paguhen në bazë të historikut të dëmeve. Projektligji gjithashtu parashikon se primet e sigurimit të detyrueshëm motorrik duhet të miratohen nga AMF dhe nuk mund të ndryshojnë më shpesh se dy herë në vit.
Një rekomandim i Autoritetit të Konkurrencës për rregullimin e tregut, dëmshpërblimi i drejtpërdrejtë i të dëmtuarve nga siguruesi i tyre, përfundimisht nuk është pranuar nga AMF. Autoriteti i Konkurrencës argumentonte se një hap i tillë do të rregullonte tregun, sepse kompanitë do të hynin direkt në marrëdhënie me klientët e tyre dhe do të ishin më të interesuar të shërbenin më mirë në rast dëmesh. Ndërkohë, klienti do të ishte më i prirur të zgjidhte kompaninë në bazë të shërbimit dhe jo thjesht duke ndjekur çmimin më të ulët, siç ndodh aktualisht.
Projektligji i hartuar nga AMF parashikon që shoqëritë e sigurimit mund të lidhin marrëveshje mes tyre për këtë qëllim, por kjo praktikë nuk do të jetë detyruese. Arsyeja kryesor pse AMF ka hequr dorë nga aplikimi i dëmshpërblimit të drejtpërdrejtë është shqetësimi se kjo mund të shkaktonte praktika mashtruese të kompanive për të zhvatur njëra-tjetrën.
Një tjetër risi e ligjit të ri do të jetë vendosja e Fondit të Kompensimit nën kontrollin direkt të AMF, që do të zgjedhë tre anëtarët e Bordit, përfshi drejtorin. Fondi i Kompensimit është përgjegjës për pagesën e dëmeve të shkaktuara nga mjetet e pasiguruara. Ai do të ndahet nga Byroja e Sigurimit dhe do të funksionojë si ent i veçantë, me një fond minimal prej 150 milionë lekësh.
Projektligji gjithashtu ka fshirë si burim të të ardhurave të fondit gjobat e vendosura nga policia për mjetet e pasiguruara. Në fakt, kjo dispozitë e ligjit nuk është zbatuar asnjëherë nga qeveria, megjithë protestat e shpeshta nga kompanitë e sigurimeve. Por, në vend që Fondit t’i garantoheshin të ardhurat nga gjobat, tashmë edhe ligjërisht atij i hiqet ky burim financimi dhe barra do t’i ngelet e gjitha kompanive të sigurimit. Me siguri ky propozim nuk do t’i lërë shumë të kënaqur siguruesit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.