Sigurimi i të ardhurave për sportin, Ylli: Financat të rishikojnë nenin për sponsorizimet
Projektligji për sportin ka kaluar në parim në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit. Me ndryshimet e sjella në këtë “ligj” pritet që të ketë përmirësime jo vetëm për sportin elitar por edhe për sportin në përgjithësi.
Rëndësi të madhe në sport ka sigurimi i të ardhurave dytësore dhe financimi i sportistëve në bazë të standardeve të vendosura.
Fidel Ylli relatori i ligjit për sportin ka kërkuar që Ministria e Financave të tregohet më e përgjegjshme në këtë pikë.
Sipas tij, “financat” kanë hequr nga ligji tre pika kryesore që lidhen me sigurimin e të ardhurave dytësore, konkretisht me sponsorizimet.
Ligji parashikon dhe një sërë ndryshimesh për autonomin, menaxhimin dhe financimin e sportit pa patur ndërhyrje të politikës.
Ndërkohë që një rëndësi i është kushtuar edhe sportit në shkolla, ku me ligj do të jenë të detyruara tre orë në javë të edukimit fizik.
Sipas Yllit në tre vitet e fundit për sportin janë investuar 31 milionë euro. Ndërkohë që efektet financiare të këtij projektligji përllogariten mesatarisht në 420 milionë lekë në vit, të cilat parashikohen të financohen respektivisht çdo vit nga buxheti vjetor dhe ai tre vjeçar për periudhën 2017-2019, i miratuar me ligj për Ministrinë e Arsimit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.