Sigurohet financimi për Bulevardin, Veliaj: Projekti mbyllet me Fondin e Abu Dhabit
Projekti i Bulevardit të Ri të Tiranës do të finalizohet me mbështetjen financiare të Fondit të Abu Dhabit, për dy segmentet e mbetura dhe rivitalizimin e një sheshi monumental në fund të tij.
Kryebashkiaku Erion Veliaj takoi drejtorin e operacioneve në botë të Fondit të Abu Dhabit për Zhvillim, Adel Al Husan, ku siguroi këtë financim, ndërkohë që bisedoi për vijimin e bashkëpunimit për projekte të tjera strategjike.
“Me Fondin e Abu Dhabi-t do të sigurohemi që ta çojmë projektin deri në fund edhe me një shesh monumental, ashtu siç është sheshi “Nënë Tereza”. Tashmë kemi disa projekte urbanistike që po kthehen në ikonë për Tiranën, si sheshi “Skënderbej” dhe Bulevardi i Ri. Besoj se me këto dy shtojca të Zogut i dhe të fundit të Bulevardit të ri me projektin e Lidos, të kemi një kurorëzim të suksesshëm të marrëdhënies me Abu Dhabi-n”, tha Veliaj.
“Jemi të kënaqur për partneritetin strategjik me qeverinë e Shqipërisë dhe të gjithë jemi dëshmitarë të një arritjeje të madhe. Një tjetër arritje është bërë në zhvillimin e këtij projekti të Bulevardit verior dhe në projektin e rehabilitimit të lumit. Po vazhdojmë diskutimet me qeverinë për projekte të reja. Faleminderit atyre që na dhanë mundësinë për të qenë pjesë e sfidave të tyre të zhvillimit dhe patjetër që do të vazhdojmë të ndihmojmë kolegët dhe vëllezërit tanë në Shqipëri për një të ardhme më të mirë”, deklaroi Adel Al Husan, Drejtor i operacioneve të Fondit të Abu Dhabit për Zhvillim.
Një ditë më parë është hapur edhe segmenti i dytë i Bulevardit të Ri të Tiranës, ndërsa sipas kryebashkiakut Veliaj, projekti i rehabilitimit të Lumit Tirana nuk përfshin vetëm sistemimin e familjeve që jetonin në shtëpi të ndërtuara në shtratin e lumit, por edhe krijimin e hapësirave shlodhëse dhe argëtuese për banorët e zonës.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.