“Sinqeriteti” i biznesit – 3-mujori, të ardhurat nga tatim-fitimi rriten me 390 mln lekë
Ndryshimet në sistemin e taksimit, gjatë viteve të fundit nga qeveria, kanë dhënë efektet e pritshme në të ardhurat e buxhetit të shtetit.
Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave rezulton, se të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 11.2 miliard lekë, 3.6% ose 390 milion lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 36.8% ose 3 miliard lekë më shumë se plani.
Sipas analizës së specialistëve të Financave publike, ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka patur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve deri tek konsumatorët fundorë.
Lidhur me këtë mund të themi se ka ndikuar edhe aksioni ndaj informalitetit, si dhe kontrollet apo analiza tashmë në bazë të riskur që planifikohet nga administrate tatimore.
Por duke parë të dhënat për të njëjtën periudhë të tre viteve të fundit ku në 2017 janë mbledhur 11.2 miliardë lekë, në 2016 janë mbledhur 10.7 miliardë lekë dhe në 2015 janë mbledhur 8.9 miliardë lekë, mund të themi më saktësi që ndryshimi i masës së taksimit 3 vite më parë, po sjell dhe “frytet” në buxhetin e shtetit.
Por krahas kësaj nuk mund të lëmë në “hije” dhe atë që quhet “sinqeriteti i biznesit” për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve.
Ndërkohë që tashmë është miratuar dhe “amnistia” për detyrime të papaguara, që sipërmarrja i ka administratës fiskale, pritet të ketë një rritje të të ardhurave në buxhet në muajt në vijim.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.