Sistem elektronik për barnat falas/ Manastirliu: ”Rimbursim 100% nga shteti për trajtimin ambulator për Covid19”
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi se është siguruar financimi i plotë për paketat e trajtimit ambulator falas për pacientët që trajtohen në shtëpi.
“Rimbursimi 100% dhe financimi nga shteti për paketën e trajtimit me barna për të gjithë qytetarët të cilët kanë forma të lehta dhe të moderuara të sëmundjes, është një tjetër hap drejt mbështetjes së qytetarëve, drejt angazhimit dhe kujdesit që qeveria shqiptare ka për gjithë qytetarët shqiptarët”. “Është lehtësia që ne tashmë kemi vendosur jo vetëm për diagnozën Covid19 por edhe për diagnoza të tjera në sistem, që mundëson rimbursimin e shpejtë. Në fakt gjatë gjithë periudhës së pandemisë qytetarëve të cilëve i’u është dashur që të marrin barna me rimbursim, i kanë marrë pikërisht nëpërmjet kodit elektronik dhe vendosjes në lidhje direkte të mjekut të familjes, qytetarit dhe farmacisë”.
Mjekët e familjes shpjeguan procedurën që ndiqet për përfitimin e barnave me rimbursim.
“Tashmë kemi filluar dhe pjesën e rimbursimit, gjithmonë në fazën dhe në stadin që është pacienti, në stadet e lehta duke e trajtuar me vitaminën terapi dhe në format e moderuara që i trajtojmë me antikoagulantë, me antibiotikë, në varësi të simptomave që shfaq dhe të sëmundshmërisë kronike dhe kodi i dërgohet pacientit dhe mund të merren barnat në farmaci me anë të familjarëve që nuk ka kontakt të drejtëpërdrejtë”,
Rimbursimi kryhet nga mjeku i familjes, përmes sistemit elektronik. Qytetarët që nuk e kanë lidhjen me mjekun e familjes, mund të njihen duke telefonuar në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 të vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.