Sistem elektronik për “spiunët” e administratës – Brenda prillit, regjistri për rekordet korruptive të raportuara nga informatorët e institucioneve
Projekti i koordinatorëve antikorrupsion që nisi me instalimin e tyre nëpër institucionet kyç shtatorin e shkuar do të hyjë në një fazë të re muajt e parë të këtij viti. Televizioni Scan ka zbardhur Projektvendimin e Ministrisë së Drejtësisë për mënyrën si do magazinohen dhe procedohen të dhënat e dërguara prej koordinatorëve. Projektvendimi parashikon brenda katër muajve të parë të këtij viti ngritjen dhe funksionimin e Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Denoncimeve mbi Rekordet Korruptive (SEMDRK).
Qëllimi është vënia në funksion e Rrjetit Antikorrupsion që përfshin koordinatorët dhe Drejtorinë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë. Të gjitha denoncimet që vinë nga burime të ndryshme do të regjistrohen në SEMDRK dhe do të trajtohen nga Rrjeti Antikorrupsion, ndërkohë që aty do të pasqyrohen edhe rastet e ndjekura, si dhe çdo informacion tjetër i përditësuar.
Institucionet kyç të administratës publike do të kenë të atashuar koordinatorët antikorrupsion që do raportojnë rregullisht për raste të dyshuara. Këshilli i Ministrave ka përcaktuar Dikasteret ku do të vendose rrjeti i koordinatorëve, ashtu si dhe pagat e këtyre të fundit, ndërkohë që do të jenë pjesë e organikës dhe strukturës së institucioneve.
Në nivel qendror koordinatorë antikorrupsion do të kenë: Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Inspektorati Kombëtar I Mbrojtjes së Territorit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme Detare, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Drejtoria Qendrore e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria Qendrore e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar dhe Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Ndërsa në nivel rajonal koordinator të rrjetit antikorrupsion do të kenë: drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, drejtoritë rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe drejtoritë rajonale të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit parauniversitar.
Pagën më të lartë do ta ketë Koordinatori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që do të trajtohet në nivelin II-a, ndërkohë që në institucionet e tjera, anëtarët e këtij rrjeti do trajtohen me pagat e niveleve II-b e më poshtë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.