Sistemi bankar bëhet më shqiptar. BSH: Procesi i ristrukturimit rriti kapitalin vendas
Procesi i ristrukturimit të sistemit bankar, po shoqërohet me rritjen e kontrollit të bankave nga kapitali vendas. Banka e Shqipërisë vëren se kjo është një dukuri e viteve të fundit, e cila ka ndodhur edhe në vende të tjera të rajonit.
Pas blerjes nga grupi Balfin, Tirana Bank do të jetë me kapital mbizotërues shqiptar, ndërsa edhe Union Bank e ka rritur peshën në treg, me blerjen e bankës malajziane. Krahas konsolidimit të veprimtarisë bankare, Banka e Shqipërisë gjykon se, mbështetur në përvojën e deritanishme, ky zhvillim pritet të kontribuojë në një rol më aktiv të sektorit bankar drejt huadhënies.
Në fund të vitit 2018, numri i bankave zbriti në 14, pas përthithjes së Veneto Banka nga Intesa Sanpaolo dhe të NBG Bank nga Banka Amerikane e Investimeve. Këtë vit, përfundoi edhe transaksioni i blerjes së Bankës Ndërkombëtare Tregtare nga Union Bank, çka do ta ulë numrin e bankave në 13. Ndërkohë, Banka e Kreditit të Shqipërisë, që praktikisht nuk ushtron më asnjë aktivitetet, pritet që të mbyllet dhe të tërhiqet nga tregu.
Kjo bankë me kapital kuvajtian historikisht ka pasur një veprimtari të kufizuar, në funksion të bizneseve të tjera të grupit kontrollues Al-Kharafi. Pasi ky grup i ka shitur bizneset e tjera në Shqipëri, edhe aktiviteti i bankës pothuajse është zeruar.
Banka e Shqipërisë thekson se do të ruajë qasjen e përshtatshme mbikëqyrëse, për të siguruar që veprimtaria bankare të vijojë të kryhet sipas standardeve më të mira të qeverisjes dhe të administrimit të rrezikut.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.