Sistemi bankar e përballoi me sukses COVID-19 – Banka Botërore jep vlerësimet në takimin me Guvernatorin Sejko
Banka Botërore ka vlerësuar si mjaft të suksesshme politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të situatës së krijuar nga COVID-19, sikurse dhe kontributin që ajo ka dhënë në reduktimin e kredive me probleme, në përmirësimin e kuadrit rregullator, dhe përafrimin e tij me standardet më të mira ndërkombëtare. Vlerësimet janë dhënë gjatë takimin përmbyllës online që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, dhe përfaqësues të tjerë të saj zhvilluan me Misionin e Bankës Botërore (BB) për Sektorin Financiar (FINSAC).
Në këtë takim mori pjesë edhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Zyrës së BB-së në Shqipëri, z. Emanuel Salinas. Diskutimet u përqendruan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike, zhvillimet në sistemet e pagesave dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme, si dhe pritjet për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme.
Guvernatori Sejko paraqiti zhvillimet më të fundit në sektorin bankar ku theksoi se sistemi bankar është mirë kapitalizuar, me likuiditet, me profitabilitet të përmirësuar, ndërsa norma e kredive me probleme ka vijuar rënien. Në vijim, lidhur me zhvillimet në sistemet e pagesave dhe edukimin financiar, Guvernatori diskutoi me misionin mbi zhvillimet më të fundit në lidhje me Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël (2018-2023) si dhe përpjekjet për hartimin e një “Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar”.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.