Sistemi elektronik, votat e deputetëve kushtojnë 3 milionë lekë
Votat e deputetëve të Shqipërisë vlejnë 3 milionë lekë. Në fakt, në këtë rast bëhet fjalë për sistemin elektronik të votimit, për të cilin Kuvendi i Shqipërisë ka kërkuar një kontratë të re, lidhur me mirëmbajtjen për vitin 2017.
Sistemi i instaluar në vitin 2007 nga kompania italiane EUREL Informatica, ofron mundësinë e sistemi elektronik të votës, audio-video si dhe përkthimi simultant dhe është mirëmbajtur me kontrata të ndryshme deri në mars 2016. Nga ky moment e deri më tani, mirëmbajtën e ka kryer shërbimi i IT në kuvend, por tani duket se kërkohet një kontratë e re.
“Sistemi elektronik aktualisht është në gjendje pune, por ky sistem për shkak të veçorisë së tij, ka nevojë për shërbim në mënyrë që pjesët e tij dhe programi bazë i komunikimit, të mos dëmtohen dhe të funksionojnë normalisht. Mesatarja e orëve të punës së sistemit për vitin 2017, do të jetë deri në 308 orë pune, deri në fund të vitit”, thuhet në specifikimet teknike të tenderit.
Po kështu, sqarohet se, si orë pune do të llogariten koha sa zgjat seanca plenare, plus 1 orë testim i sistemit para fillimit të seancës si dhe kohëzgjatja e aktiviteteve të ndryshme në sallë, gjatë të cilave ky sistem është në punë.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.