Sistemimi i rrjetit energjetik – 2.2 mld lekë për segmentin Uji i Ftohtë-Radhimë
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi disa prej investimeve në rrjetin energjetik në zonën e Bashkisë Vlorë. Ministri Gjiknuri vuri theksin tek nevoja për të mirëadministruar këto investime të kryera dhe ato në proces.
“Çfarë do të thotë investim dhe miradministrim? Përpara katër vitesh humbjet e energjisë në Vlorë ishin mbi 50%, sot që flasim janë nën 20%. Pra kemi një kapërcim galopant duke kursyer, duke administruar më mirë mallin e përbashkët të qytetarëve. Akoma ka punë dhe ka nevojë për administrim më të mirë por rezultatet janë impresionuese dhe kjo ka ardhur si rrjedhojë e mirëmenaxhimit të kompanisë dhe strukturave në terren”, nënvizoi Gjiknuri.
Administratori Adrian Çela u shpreh se do të ketë edhe një projekt të ri në vlerën e 2.2 miliardë lekë për të sistemuar rrjetin elektrik nga Uji i Ftohtë deri në Radhimë.
“Qyteti i Vlorës jo vetëm që ka përfituar këto 800 milion lekë të reja dhe ka në proces edhe 1.2 miliard lekë të reja investime që janë duke u zbatuar por ne kemi edhe një projekt tjetër agresiv investimi në Bashkinë e Vlorës. Ky projekt i ri ka të bëjë me sistemimin e rrjetit elektrik nga tuneli i Ujit të Ftohtë deri në zonën e Radhimës që shkon rreth 2.2 miliard lek të reja. Gjithë këto rezultate dhe gjithë këto investime arrihen edhe në saj të performancës së kompanisë dhe bashkëpunimit të qytetarëve”, u shpreh administratori i OSHEE Adrian Çela.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.