Situata në Francë po përkeqësohet / Le Maire: Të gjithë opsionet në dispozicion, për të luftuar pandeminë
Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, tha në nisje të Javës se situata shëndetësore po përkeqësohet gjatë valës së tretë të pandemisë së koronavirusit dhe se të gjithë opsionet janë në dispozicion, për të mbrojtur shëndetin publik. Le Maire tha gjithashtu se Franca duhet të shmangë vendosjen e masave më strikte të Covid-19 për sa kohë të mundet dhe ka kundërshtuar ndryshimin e listës së dyqaneve dhe bizneseve që mund të qëndrojnë të hapura. “Listat nuk do të ndryshojnë”- tha Le Maire.
“Të japim sinjalin se disa biznese do të rihapen, ndërkohë që situata po përkeqësohet, nuk është në interes të vendit tonë”- shtoi ai. Nën masat aktuale të karantinës, në 19 zona të rrezikut të lartë, përfshirë Parisin, dyqanet lejohen të qëndrojnë të hapura, përfshirë ato që shesin ushqime dhe libra si dhe parukeritë. Veshjet, mobiljet dhe dyqanet e estetikës, nuk janë lejuar të rihapen. Kjo ka sjellë shqetësime tek të pronarët e dyqaneve të ashtuquajtura jo-bazike, që janë detyruar të qëndrojnë të mbyllura. Presidenti Emmanuel Macron mbrojti javën e kaluar vendimin e tij për të mos vendosur një karantinë të tretë të plotë dhe të mbajë shkollat e hapura, por tha se do të duhen masa të tjera.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.