Situata në Venezuelë – Guaido kthehet në ‘shtëpi’, a do të arrestohet?
Udhëheqësi i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido tha se do të kthehej në shtëpi pas një vizite në Ekuador dhe do të bënte thirrje për protesta të reja gjatë javës së ardhshme kundër Presidentit Nikolas Maduro, qeveria e të cilit e kishte ndaluar atë të udhëtonte jashtë vendit.
Guaido ka kaluar disa ditë mes vendeve të Amerikës Latine për të mbledhur mbështetje për fushatën e tij për të formuar një qeveri në tranzicion dhe për të rrëzuar Maduro, të cilin ai e denoncon si një uzurpator të paligjshëm.
Ai ka vizituar Brazilin, Argjentinën dhe Paraguain pasi u largua nga Venezuela javën e kaluar. Guaido vizitoi Kolumbinë për të koordinuar përpjekjet dhe dërguar ndihma humanitare në vendin e tij, edhe pse trupat besnike ndaj Maduro bllokuan një kamionë ndihmash dhe i kthyen ato. “Si hap të radhës për venezuelasit, unë njoftoj se do të kthehem në shtëpi nga Ekuadori” -tha Guaido në një konferencë shtypi në qytetin bregdetar të Salinas së bashku me presidentin e Ekuadorit, Lenin Moreno. Guaido nuk tha se kur saktësisht do të kthehej në Venezuelë. Ai pritet të largohet nga Ekuadori në orën 9.30 në orën lokale të ditës së sotme, sipas orarit të qeverisë ekuadoriane për vizitën e tij.
Kthimi i tij hap mundësinë që autoritetet venezueliane do të përpiqen ta arrestojnë atë. Gjykata e Lartë ka vendosur një ndalim udhëtimi për të pasi shkeli kushtetutën e vendit më 23 janar për të marrë një presidencë të përkohshme, të cilën shumica e vendeve perëndimore tashmë e njohin si të ligjshme.
Guaido u ka bërë thirrje mbështetësve të tij ndërkombëtarë që të imponojnë masa më të ashpra për ti bërë presion Maduros. Administrata e presidentit amerikan Donald Trump, nuk ka përjashtuar ndërhyrjen ushtarake për të larguar Maduro-n dhe aleatët e tij latino-amerikanë kanë inkurajuar një kombinim të sanksioneve dhe diplomacisë.
Burimi:Reuters
E.T/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.