Sjelljet e pamatura në internet mund t’ju shkatërrojnë biznesin
Interneti është bërë tashmë një mjet i pandashëm nga jeta jonë. Ai ndikon jetët tona të përditshme edhe në momente që ne nuk e kuptojmë.
Tashmë edhe bizneset lidhen ngushtë me internetin, shpesh prej tij fitohet klientela, formohet emri i mirw, e madje rriten edhe fitimet tuaja.
Por do të mjaftonte vetëm një çast pakujdesie dhe të gjitha këto do të merrnin fund. Interneti është shumë i mirë për të krijuar një imazh dhe mjaftueshëm i keq për t’ju shkatërruar biznesin në rast se tregoheni të pakujdesshëm.
Ndiqni këto këshilla që të mos bini pre e sjelljeve të pamatura në internet.
- Postimet tuaja duhet të kenë lidhje me biznesin tuaj
Nëse jeni një piceri ju nuk mund të publikoni foto rrobash. Nëse doni të lundroni në internet e të pëlqeni postime nga më të ndryshmet të cilat nuk kanë lidhje me biznesin por mund të kenë ndikim në të atëherë nuk jeni në rrugën e duhur.
- Profili i biznesit përdoret vetëm në dobi të tij
Mbani gjithmonë parasysh se jeni në profilin e biznesit tuaj dhe jo në atë personal. Duhet të keni kujdes të mos ngatërroni se me cilin profil jeni pasi veprime nga më të ndryshmet mund të dëmtojnë profilin tuaj.
- Kini kujdes me gjuhën që përdorni
Kur të ktheni përgjigje në postime apo mesazhe të klientëve tuaj apo qoftë edhe personave të cilët nuk janë dashamirës të biznesit tuaj duhet të keni parasysh gjuhën me të cilën flisni. Ju në ato momente nuk identifikoheni si ju, por si biznesi.
- Mos shkëmbeni mesazhe personale publikisht
Në raste të caktuara ndoshta do të doni të ekspozoni vlerësimet e larta që merrni në mesazhe private nga klientët tuaj sepse kjo është një formë marketing, por mos harroni kjo duhet të ndodhë vetëm pasi t’i keni marrë leje personit në fjalë për ta bërë këtë veprim.
Viola Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.