S’ka recesion në SHBA – Shtëpia e Bardhë në lëvizje për të bindur konsumatorët
Zyrtarët më të lartë të Shtëpisë së Bardhë, duke përfshirë këtu edhe presidentin Donald Trump, kanë nisur një fushatë për të bindur konsumatorët amerikanë dhe tregjet financiare se ekonomia nuk rrezikohet nga recesioni. Komentet vijnë pas një jave të tensionuar në tregje.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe zyrtarët më të lartë të Shtëpisë së Bardhë hodhën poshtë shqetësimet se rritja ekonomike në SHBA mund të jetë ngadalësuar ndjeshëm, duke thënë se rreziku për recesion është shumë i ulët, pavarësisht një jave të paqëndrueshme në tregjet globale të aksioneve dhe obligacioneve.
Gjithashtu, kreu i Shtëpisë së Bardhë insistoi sërish se lufta tregtare me Kinën nuk po e dëmton ekonominë amerikane. “Ne po ecim jashtëzakonisht mirë, konsumatorët tanë janë të pasur. Unë ndërmora një ulje drastike taksash dhe ata janë mbushur me para”, deklaroi Trump. Por, presidenti amerikan ishte më pak optimist se ndihmësit e tij në lidhje me arritjen e një marrëveshje tregtare me Kinën, duke thënë se “nuk është ende gati për një marrëveshje me Pekinin”.
Trump la të mendohet se Shtëpia e Bardhë dëshiron që Pekini të zgjidhë fillimisht çështjen e protestave në Hong Kong. “Do të doja që çështja e Hong Kongut të zgjidhet në një mënyrë shumë humanitare. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë për marrëveshjen tregtare”, vijoi presidenti amerikan.
Edhe këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Larry Kudlow deklaroi në një intervistë për “Fox News” se ekonomia amerikane është në gjendje shumë të mirë. “Nuk ka asnjë shenjë për recesion. Konsumatorët po punojnë dhe pagat po rriten. Ata po kursejnë dhe po shpenzojnë”, deklaroi ai.
Komentet e zyrtarëve më të lartë të Shtëpisë së Bardhë vijnë pas një javë shumë të tensionuar në tregjet financiare, pasi u rritën shqetësimet për një recesion të ekonomisë më të madhe në botë dhe trazuan fushatën presidenciale të vitit 2020. Demokratët i cilësojnë politikat e Trump si akute, që përbëjnë rrezik afatshkurtër.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.