Skandali “rrëzon” Fillon, sondazhet: Ekstremistja Le Pen dhe Macron në “finale”
Liderja e Frontit Nacional, Marine le Pen do të jetë fituese e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në muajin Prill në Francë, tregojnë sondazhet e fundit.
Kandidatja e partisë së djathtë ekstreme, projektohet të fitojë 24% të votës popullore në raundit e parë të zgjedhjeve që do të mbahet në datën 24 Prill. Emmanuel Macron i qendrës, ish-ministër i ekonomisë nën kabinetin Valls, projektohet të marrë 19% të votave.
Francois Fillon duket se mjaftohet me vetëm 19% të votave. Konservatori, ish kryeminsitër që mundi në garën brenda partisë dy ish të tjerë , Nicolas Sarkozy, ish president, dhe Alain Juppe, ish kryeministër, pak kohë më parë projektohej si presidenti i ardhshëm i Francës.
Skandali që ka përfshirë bashkëshorten e tij për përfitime të paligjshme duket se e ka shkatërruar për momentin fushatën e pretendentit kryesor. Skandali i Fillon, jo vetëm që ka dëmtuar këtë të fundit, por duket se rrezikon të shkatërrojë të gjithë Europën, pasi po i hap rrugën Le Pen të zgjidhet presidente.
Kjo e fundit ka premtuar të nxjerrë Francën nga Bashkimi Europian, Eurozona dhe Nato, si dhe të ndalojë emigrantët. Gjithsesi, të njëjtat sondazhe tregojnë se, në rast se Le Pen dhe Macron do të fitonin në raundin e parë të zgjedhjeve, në raundin përfundimtar, atë të Majit, Macron do të mundte Le Pen 63 me 37%.
Roel Korkuti/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.