Skema e falsifikimit të testeve COVID për udhëtime jashtë Shqipërisë-Policia zgjeron rrethin, arrestime të tjera
Në vijim të operacionit policor të koduar “Shtegtimi”, finalizuar një javë më parë nga DVP Tiranë si rezultat i të cilit u vunë në pranga 4 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Referuar njoftimit të policisë, në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim dhe është arrestuar edhe një tjetër shtetas, 18 vjeçar, pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.
“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, duke përfituar nga situata e pandemisë ‘’COVID-19’’, nëpërmjet kamuflimit, për t’u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, kanë përfituar shumën 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, si dhe kanë falsifikuar formularë të testit ‘’COVID-19’’ dhe garanci të destinacionit të vendit pritës” njofton Policia. Policia bën me dije se po vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.