Skema e re e ndihmës ekonomike, reagon Banka Botërore në Shqipëri! Maryam Salim: Projekti që prej 2014, progresi i kënaqshëm
Zyra e Bankës Botërore në Shqipëri ka reaguar ndaj raportimeve të fundit në media lidhur me projektin e modernizimit të asistencës sociale në Shqipëri që është financiar nga Banka Botërore. Në një deklaratë për media, drejtuesja e BB-së në Shqipëri Maryam Salim deklaron se objektivi kryesor i këtij projekti është mbështetja e zbatimit të reformave për të përmirësuar barazinë dhe eficiencën e programeve të asistencës sociale në Shqipëri.
“Ky projekt mbështet përpjekjet e qeverisë për të targetuar në mënyrë më efikase burimet për shtresën më të varfër dhe në nevojë, duke përfshirë në Programin e Ndihmës Ekonomike, të varfërit që ishin përjashtuar më parë dhe duke pastruar skemën përmes reduktimit të rasteve të mashtrimeve dhe gabimeve. Projekti është hartuar mbështetur në eksperiencën ndërkombëtare që lidhet me fuqizimin e programeve të asistencës sociale” deklaron Salim.
Në deklaratë evidentohet fakti se procesi pilot për zbatimin e formulës që përcakton të drejtën për përfshirje në Programin e Ndihmës Ekonomike ka filluar që në vitin 2014 në tri rajone (Tiranë, Durrës dhe Elbasan), të cilat përfshijnë gjysmën e popullsisë së vendit dhe që nga Janari i këtij viti po shtrihet në shkallë kombëtare.
“Ky është një proces i gjatë me përmirësime të vazhdueshme për të shmangur pasaktësitë në targetimin e grupeve të duhura në nevojë. Progresi i arritur deri tani në zbatimin e projektit është vlerësuar si i kënaqshëm. Rezultatet e arritura tregojnë qartë që projekti po arrin objektivat dhe qëllimet e tij kryesore. Bazuar në anketimin kombëtar zyrtar të familjeve (Anketimi i Buxhetit të Familjeve) janë shënuar përmirësime në targetimin e programit si p.sh. përqindja e përfitimit të Ndihmës Ekonomike për 10 përqindëshin e grupit të më të varfërve është rritur nga 34 përqind në vitin 2009 (si viti baze) në 45 përqind në vitin 2015. Ndërkohë, mbulimi i 10 përqind të grupit me të ardhura më të larta në kategorinë e përfituesve është ulur, si rezultat i kontrolleve dhe inspektimeve më të forta për të shmangur abuzimet. Pritet që mbulimi i përgjithshëm i më të varfërve të rritet bazuar në të dhënat zyrtare më të fundit” vijon deklarata.
Projekti i Modernizimit të Asistencës Sociale, sipas BB, është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me qeverine shqiptare dhe ka nisur zbatimin që prej vitit 2012 nga Ministritë përkatëse dhe Shërbimin Social Shtetëror.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.