Skema/ Si eksportuesit kinezë po shmangin tarifat amerikane. Loja me “Made in Vietnam”
Disa eksportues kinezë kanë gjetur një alternativë të re për të shmangur tarifat e impozuara nga Trump duke u vendosur produkteve të tyre etiketa dhe certifikata false nën emërtimin e “Made in Vietnam”. Nga bujqësia deri tek tekstilet qeveria e Vietnamit deklaroi se ka gjetur disa raste të këtyre falsifikimeve në transferime të paligjshme të mallrave me origjinë të falsifikuar. Është hera e parë që një qeveri aziatike pohon publikisht një sjelle të keqe që nga fillimi i përshkallëzimit të tensioneve tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
Deklarata e Vietnamit, i cili premton të rrisë ndëshkimet për mashtrimet tregtare, u shton shqetësimeve faktin që disa eksportues kinezë janë duke i ridrejtuar në mënyrë të paligjshme porositë dhe dërgesat e tyre, pasi Trump vendosi tarifa në mbi 250 miliardë dollarë mallra kineze dhe kërcënoi një shtesë tjetër tarifash prej 300 miliardë dollarësh.
Partnerët tregtarë të SHBA-ve përfshirë Vietnamin përballen me një presion në rritje për të ndaluar eksportet e paligjshme pasi edhe ata vetë po mundohen të shmangin ndonjë tarifim të mundshëm. Vietnami është i shqetësuar se mund të dënohet nga Shtetet e Bashkuara për lejimin e produkteve kineze për në Amerikë, u shpreh A Van Sinh, një anëtar i përhershëm i komitetit ekonomik të Asamblesë Kombëtare, në një deklaratë qeveritare. Vietnami tashmë ballafaqohet me kontroll nga Shtetet e Bashkuara pasi Departamenti i Thesarit e shtoi vendin në një listë mbikqyrëse për manipulimin e monedhës muajin e kaluar.
Autoritetet vietnameze kanë thënë se kursi i këmbimit nuk do të përdoret për të krijuar një avantazh të padrejtë tregtar, edhe pse ata janë shqetësuar se konflikti i SHBA-Kinë do të dëmtojë rritjen ekonomike. Zëvendës Kryeministri Pham Binh Minh i tha Asamblesë Kombëtare javën e kaluar se prodhimi i brendshëm bruto mund të bjerë 256 milionë dollarë në pesë vitet e ardhshme për shkak të luftës tregtare.
Burimi: Bloomberg
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.