Skemat lehtësuese të OSHEE – 20 mijë biznese kanë përfituar reduktim të detyrimeve
Rreth 20 mijë biznese kanë përfituar nga skemat lehtësuese të pagesës me këste të detyrimeve të prapambetura, që aplikohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Përfaqësues të OSHEE thanë për TV SCAN se këto shifra përllogariten që prej kohës kur nisi aplikimi i skemave lehtësuese, deri në muajin gusht të këtij viti.
Sipas kompanisë, kjo ka sjellë edhe reduktimin e borxhit të vjetër, duke rritur të ardhurat.
Ndërkaq, të gjithë bizneset që kanë detyrime të pashlyera, të krijuara nga 1 Janari 2007 deri në 31 Dhjetor 2016, mund të përfitojnë ende nga këto skema, duke qenë se pak kohë më parë Këshilli Mbikëqyrës miratoi shtyrjen e afatit deri në fund të këtij viti.
Kështu, ata abonentë që shprehin vullnetin të kryejnë pagesën e menjëhershme të detyrimit, përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 50%.
Gjithashtu, konsumatorët jofamiljarë kanë mundësi që të shlyejnë me këste fikse mujore detyrimin e krijuar.
Një tjetër skemë që aplikohet në këtë kuadër është edhe ajo e reduktimit të kamatë vonesës kundrejt pagesës totale të saj në vlerën 100 lekë për konsumatorët e kategorisë biznes i vogël, të cilët janë debitor kundrejt OSHEE, vetëm për vlerën e kamatëvonesës.
Procedurat për të gjithë bizneset e interesuar kryhen pranë çdo pike të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.