SKENARËT PËR HEC SKAVICA/ Amerikanët u angazhuan për investimin, 2 variantete që janë në tavolinë
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompania amerikane Bechtel do të përgatisin dhe miratojnë bashkërisht Planin e Veprimit për zbatimin e Projektit të ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës. Ndër të tjera, ky plan do të përfshijë edhe statusin aktual të dokumentacionit teknik të projektit, modelet e propozuara të financimit dhe afatet për zbatimin e suksesshëm të tij. Por, çfarë parashikon konkretisht statusi aktual për këtë vepër hidroenergjetike?
Në tavolinë janë 2 variante, që parashikojnë madhësi të ndryshme të veprës. Alternativa A parashikon një projekt me digë më të ulët dhe liqen më të vogël. Parametrat kryesorë përfshijnë një fuqi të instaluar prej 120 MË, ndërsa prodhimi mesatar vjetor do të jetë 479 GWh. Kosto e këtij opsioni të prezantuar është 308 mln euro, nga të cilat rreth 250 mln euro do të shkojnë për ndërtimin e hidrocentralit dhe rreth 50 mln euro të tjera shkojnë për shpronësime dhe ndërtime të tjera infrastrukturore.
Ndërkaq, sa i takon alternativës B, parashikohet ndërtimi i një dige më të lartë dhe një liqeni më të madh. Fuqia e instaluar në këtë rast do të jetë 210 MW, ndërsa kosto e kësaj alternative është 510 mln euro. Më konkretisht, rreth 350 mln euro shkon ndërtimi i veprës dhe rreth 150 mln euro është llogaritur kosto e shpronësimeve dhe infrastrukturës. Gjatë prezantimit të këtyre skenarëve, qeveria deklaroi se gara për ndërtimin e veprës do të hapej brenda muajit tetor të këtij viti, në përmbyllje të studimit të fizibilitetit, por pas nënshkrimit të Memorandumit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se fjalën finale do e ketë kompania Bechtel.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.