Skenarët/Çfarë parashikon ligji kur shkarkohet nga detyra drejtori i AMF?
Komisioni i Ekonomisë ka miratuar shkarkimin nga detyra të Enkeleda Shehit, nga posti i kreut dhe i anëtarit të Bordit të AMF-së. Vendimi përfundimtar për lirimin pritet të merret javën e ardhshme në seancë plenare, ku nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe një fjalim të Znj.Shehi në seancë para votimit të deputetëve. Referuar ligjit të AMF-së, “në propozimin për largimin e anëtarit përcaktohen arsyeja dhe provat në lidhje me rastin. Kuvendi mund të vendosë pezullimin e anëtarit nga funksioni deri në përfundimin e procesit të verifikimit dhe të marrjes së vendimit. Kuvendi, pas shqyrtimit, vendos lirimin ose jo nga detyra të anëtarit”.
Në rast se vendimi për lirim nuk arrin të marrë votat e nevojshme në Kuvend apo për shkaqe të ndryshme vonon për të kaluar në votim, atëhere kompetencat e drejtimit të AMF-së i merr nëndrejtori ekzekutiv.
Në rast se vendimi i komisionit të Ekonomisë miratohet edhe në seancë plenare, atëhere ligji parashikon rinisjen e procedurës së zgjedhjes së anëtarit të ri që do të mbajë edhe detyrën e kreut të AMF-së për pjesën e mbetur të mandatit.
“Anëtari i Bordit, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, pas një procedure përzgjedhëse” përcaktohet në ligj. Kjo nënkupton se do të jetë sërish Këshilli i Ministrave që do të propozojë anëtarin e Bordit që do të mbajë dhe detyrën e kryetarit për pjesën e mbetur të mandatit.
Referuar ligjit, “në rast të lirimit nga detyra të ndonjërit prej anëtarëve të Bordit përpara afatit, anëtari tjetër emërohet me të njëjtën procedurë, siç është emëruar anëtari që lirohet, për periudhën deri në përfundim të mandatit të anëtarit që lirohet”, raporton SCAN.
Nëse Kuvendi miraton kërkesën për shkarkim, atëhere anëtari i ri do të ushtrojë një mandat që do të zgjasë deri në fund të vitit 2019, pra për rreth 3 vite.
Por kush mund të zgjidhet anëtar i ri i Bordit të AMF-së nëse Kuvendi miraton kërkesën e Komisionit të Ekonomisë?
Pavarësisht se në Kuvend artikulohet jozyrtarisht si një prej kandidaturave, një parlamentar dhe anëtar i komisionit të Ekonomisë, ligji ka përcaktuar disa kritere, mes të cilave edhe ai që kandidati për anëtarë duhet të jetë “i paangazhuar në funksione drejtuese partiake”. Për zgjedhjen e kandidaturës së anëtarit të Bordit që propozohet edhe për Drejtues ekzekutiv i AMF-së, ligji parashikon zhvillimin e një procedure përzgjedhëse, pjesë e së cilës mund të jenë emra të njohur të fushës së ekonomisë në vend.
Kërkesat për t’u emëruar anëtar i Bordit Anëtarët e Bordit janë:
-Shtetas shqiptarë.
-Të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve universitare në një nga këto fusha: ekonomi, juridik ose të lidhur me shkencën e aktuarëve
-Me përvojë profesionale të paktën 7- vjeçare, nga e cila, të paktën, 5 vjet në njërën nga këto fusha ose në disa prej tyre të marra së bashku:
- a) financë-kontabilitet;
- b) administrim i shoqërive tregtare;
- c) këshillim ligjor i shoqërive tregtare;
ç) hartim legjislacioni;
- d) shkencë e aktuarëve;
- dh) sigurime shoqërore dhe pensione.
-Me integritet moral dhe profesional.
-Të paangazhuar në funksione drejtuese partiake.
-Të pashpallur si të dënuar penalisht, me vendim gjykate të formës së prerë.
-Në përmbushje të kërkesave dhe dispozitave ligjore për konfliktin e interesave.
Nuk mund të jenë anëtarë të Bordit të Autoritetit persona, të cilët:
- a) në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura;
- b) kanë lidhje familjare me personat e parashikuar në shkronjën “a” të këtij paragrafi;
- c) në tre vitet e fundit kanë qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.