SocGen pro konsolidimit – Bën thirrje për rregullatorët që të lehtësojnë blerjet dhe shkrirjet
Societe Generale bëri të ditur se bankingu europian duhet të ndjekë hapat e Shteteve të Bashkuara dhe bëri thirrje ndaj organeve rregullatore që të lehtësojnë konsolidimin në rajon. Sipas huadhënësit francez, bankat europiane duhet të bëhen më të përqendruara në mënyrë që të konkurrojnë me ato në SHBA. “Në Europë, ka shumë banka dhe mjedisi është i fragmentizuar. Sistemi duhet të përqendrohet për të ndihmuar ekonominë reale. Në SHBA, ky proces ka nisur 30 vite më parë”, tha kryetari i bordit të SocGen, Lorenzo Smaghi.
Banka franceze lajmëroi se do të blejë njësinë e tregtimit të aksioneve dhe lëndëve të para të bankës gjermane Commerzbank. Marrëveshja e lajmëruar përpara një jave, që kërkon ende miratim nga rregullatorët, është një përpjekje për të zgjeruar prezencën në tregun gjerman. Të premten e kaluar, sipas raportimeve, JPMorgan dhe Banka Industriale e Tregtare e Kinës, po konsideronin të blenin aksione te Deustche Bank.
Në Qershor, një tjetër bankë franceze, BNP Paribas, bleu njësinë e manaxhimit të aktiveve të Deutsche Bank, që u pa gjithashtu si një përpjekje për të rritur prezencën në tregun gjerman. Megjithatë, analistët thonë se shkrirjet përtej kufijve nuk janë gjithnjë alternativa më e mirë. Dështimi i konsorciumit të drejtuar nga Royal Bank of Scotland për të blerë huadhënësin ABN Amro gjatë krizës financiare, ka ende gjurmë te bankierët dhe rregullatorët .
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.