Sondazhi i bankave të Eurozonës – BQE: Pritet rritje e kërkesës për kredi dhe thjeshtim i standardeve
Bankat e Eurozonës presin një rritje të kërkesës për kredi nga korporatat dhe ekonomitë familjare në tremujorin e tretë dhe lehtësimin e standardeve të kreditit, sipas një sondazhi të Bankës Qendrore Europiane drejt huadhënësve kryesorë të rajonit. Nëpërmjet 2.5 trilionë euro blerjeve të obligacioneve private dhe publike në 3 vitet e fundit, BQE ka ulur kostot e huamarrjes në nivele rekord të ulëta, me qëllim stimulimin e kredisë dhe shpenzimeve, për të arritur objektivin përfundimtar të nxitjes së inflacionit.
Pavarësisht se skema ka dhënë efekt në mënyrë më të ngadaltë se ç’pritej, huadhënia drejt korporatave dhe konsumatorëve ka arritur nivelet më të larta të pas krizës. Për rrjedhojë, Banka Qendrore Europiane ra dakord muajin e kaluar për të reduktuar programin e blerjes së obligacioneve. Në tremujorin e dytë, bankat patën një rritje të kërkesës për kreditë konsumatore, të korporatave dhe për shtëpi, ndërkohë që standardet e kreditit, ishin lehtësuar gjithashtu për të 3 kategoritë. Banka Qendrore Europiane ka anketuar 149 huadhënës.
“Në total, kushtet për kreditë e reja kanë vazhduar të thjeshtëzohen në të gjithë kategoritë për tremujorin e dytë 2018”, deklaroi Institucioni në Frankfurt. Presionet e konkurrencës dhe perceptimi i rrezikut kanë sjellë lehtësimin e kushteve, ndërkohë që toleranca e riskut, kostot e financimit dhe kufizimet në bilanc, kanë dhënë një ndikim neutral.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.