Sondazhi i EBA: “Bankat europiane pritet të goditen nga rregullat e reja të kontabilitetit”
Bankat europiane presin që rregullat e reja të kontabilitetit që pritet të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm, të ulin niveli e kapitalizimit të tyre dhe të rrisin ndjeshëm sasinë e fondeve rezervë që duhet për të mbuluar kreditë e këqija, tregon një sondazh i Autoritetit Bankar Europian.
Standardet e reja Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS 9) synojnë që ti bëjnë bankat më të sigurta dhe të shmangin një përsëritje të krizës së vitit 2008, duke iu kërkuar huadhënësve që të mbajnë më shumë kapital për të mbuluar humbjet nga kreditë e këqija.
Megjithatë, këto rregulla mund të shtojnë problemet në bankat që kanë nivele të larta të kreditit të keq dhe që kanë vështirësi në rritjen e kapitalit, gjë që detyroi “Banco Popular” të Spanjës dhe dy huadhënës rajonalë në Itali për të dalë nga biznesi në javët e fundit.
Shumica e bankave të anketuara nga mbikëqyrësi i Europës, deklaruan se presin që provigjonet e tyre të rriten me rreth 18% për rrjedhojë të këtyre ndryshimeve.
“Bankat kanë bërë progres të mëtejshëm në zbatimin e rregullave kontabël IFRS 9 që prej ushtrimit të mëparshëm, megjithatë huadhënësit e vegjël kanë mbetur mbrapa”, deklaron Autoriteti Bankar Europian.
Huadhënësit presin që standardet e reja ti detyrojnë që të njohin humbjet në kreditë ekzistuese që nuk kanë dështuar ende, por që kanë rrezik të lartë të mospagimit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.