S&P për Italinë – Ruan vlerësimin në -BBB, shikon rimëkëmbje
Agjencia e vlerësimit të kreditit, S&P konfirmoi vlerësimin e borxhit sovran të Italisë në -BBB me perspektivë të qëndrueshme. Ky nivel mbetet vetëm një notë mbi atë spekulativ.
Sipas agjencisë, rimëkëmbja e ekonomisë së vendit mbetet një objektiv i arritshëm. Projeksionet e S&P flasin për një normë rritje të ekonomisë Italinë gjatë këtij viti me 0.9%, dhe mes 1-1.2% gjatë tre viteve të ardhshme.
Agjencia ndër të tjera, vlerëson se, borxhi publik do të mbetet i qëndrueshëm, por në rreth 131% të PBB, ç`ka do të thotë se do të vijojë të qëndrojë mbi nivelin e kuq.
Projeksionet me një perspektivë të qëndrueshme ndërkohë, marrin shtysë nga angazhimet e qeverisë italiane për të vijuar axhendën e reformave, dhe kryesisht ato strukturore.
Këto reforma kanë për synim të përmirësojnë efikasitetin e administratës publike dhe asaj gjyqësore. Ndërkohë që agjencia projekton një rritje ekonomike pranë 0.9% për Italinë gjatë këtij viti, qeveria flet për një normë në 1.1%.
Gjithsesi, agjencitë e vlerësimit janë gjithmonë më pak optimiste se qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare sa i përket projeksioneve, duke u bazuar në shifra më reale.
Rreth dy javë më parë, një tjetër agjenci vlerësimi, Fitch, zhvlerësoi borxhin sovran të Italisë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.