“S&P” për sektorin financiar: “Bankat solide, ulën me sukses nivelin e kredive jo performuese”
Raporti i “Standard and Poor`s” i siguruar nga “Scan” vlerëson edhe sektorin financiar në vendin tonë. “Sektori bankar, kryesisht i dominuar nga banka me kapital të huaj, ka ulur normën e kredive jo-performuese në diçka më pak se 10%”-thotë agjencia.
Ky nivel përfaqëson një rënie të ndjeshme krahasuar me nivelin e 25% në Shtator të vitit 2014. Sa i përket politikave monetare, agjencia thotë se, tregjet e pazhvilluara mirë të kapitalit si dhe euroizimi i zgjeruar dëmtojnë më tej efektivitetin e politikave monetare, siç ndodh edhe me të gjitha ekonomitë e tjera në rajon.
“Banka e Shqipërisë ka ulur me sukses peshën e kredive në euro, por sërish, më shumë se 50% e depozitave vijon të jetë në valutë, ndërkohë që eurot pranohen gjerësisht si mjet transaksioni, edhe në ekonominë formale”, thuhet mes reshtave.
“Forcimi i lekut si rrjedhojë e një serie ngjarjesh, por kryesisht konvertimi i kapitalit bankar në euro nga lek, i kombinuar edhe me një inflacion të dobët në eurozonë, vazhdojnë ta bëjnë të vështirë për Bankën e Shqiëprisë që të arrijë objektivin e inflacionit, pranë 3%”, nënvizon agjencia.
“Ne presim që inflacioni të rimëkëmbet gradualisht, por të vijojë të mbetet larg objektivit të institucionit, deri në vitin 2023”, sqaron S&P.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.