S&P vlerëson luftën tregtare – Pritet të reduktojë rritjen e ekonomisë botërore me 1%
Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit S&P, projektoi se rritja e Produktit të Brendshëm Bruto në të gjithë botën mund të humbasë rreth 1% nëse kërcënimet e tarifave marrin formën e një lufte tregtare. Rritja e ekonomisë botërore në vitin 2017 shënoi 3.7% dhe projektohet në 3.8% këtë vit dhe 3.9% në vitin 2019, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.
Kjo shifër është pranë rritjes së shpejtë prej 4% që u arrit përpara krizës financiare dhe i është dashur botës 1 dekadë që të arrijë në këtë nivel. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë dhënë secila projeksione optimiste për rritjen e ekonomisë globale, megjithatë kanë theksuar se lufta tregtare është një ndër rreziqet kryesore. Standard and Poor’s nuk është enti i vetëm që bën një parashikim të tillë. Simulimet e Bankës Qendrore Europiane tregojnë gjithashtu se rritja e ekonomisë globale mund të tkurret me 1% në vitin e parë pas vendosjes së tarifave dhe tregtia botërore e mallrave mund të tkurret me 3%.
Tensionet mes 2 ekonomive më të mëdha në botë janë rritur që kur presidenti Donald Trump kërcënoi vendosjen e tarifave për 150 miliardë dollarë mallra kinezë, prej praktikave të padrejta të tregtisë që Pekini ka ndërmarrë. Kina ka bërë të ditur se do të kundërpërgjigjet duke rritur tarifat për 50 miliardë dollarë mallra amerikanë dhe të dy vendet janë në negociata që nuk kanë rezultuar efektive deri më tani.
Në takime është diskutuar përpjekja e Kinës për të ulur suficitin tregtar me SHBA, që arriti në nivel rekord prej 375 miliardë dollarë në vitin 2017, duke rritur blerjen e mallrave amerikanë, kryesisht në energji dhe bujqësi. Megjithatë, progresi në këtë angazhim është cenuar gjatë javës së kaluar, kur Shtëpia e Bardhë lajmëroi tarifa në 25% për 50 miliardë dollarë produkte kineze të teknologjisë së lartë, prej praktikës së vjedhjes së teknologjisë së firmave të huaja nga Kina.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.