Spanja do rinisë vaksinimin me AstraZeneca / Zgjat limitin e moshës në 65 vjeç, pas provave klinike në SHBA
Spanja do zgjerojë grupmoshën që marrin vaksinën e AstraZeneca në 18-65 vjeç, nga 55 që ishte maksimumi, kur të rinisë përdorimi i injeksionit këtë Javë, sipas ministres së Shëndetësisë, Carolina Darias.
Ministrja tha se autoritetet do të zgjasin limitin e moshës përtej 65 vjeç me kalimin e kohës, nëse kjo mbështetet nga ekspertët dhe nëse ka mjaftueshëm doza. Kjo vjen pasi provat e fazës përfundimtare në Kili, Peru dhe SHBA, zbuluan se vaksina ishte 79% efektive në parandalimin e Covid-19 simptomatik.
Autoritetet thanë javën e kaluar se Spanja do rinisë përdorimin e vaksinës së AstraZeneca, pas pezullimit nga shumë vende evropiane për shkak të shqetësime të lidhura me mpiksjen e gjakut. Rreth 20% të vullnetarëve në provat e fundit ishin sipër 65 vjeç, krahasuar me 5.7% në studimin e mëparshëm, çka bëri që shumë vende evropiane të hezitonin për t’i dhënë injeksionin të moshuarve. Spanja ka qenë ndër vendet më të goditura nga pandemia, me 3.2 milionë raste të regjistruara dhe mbi 73,000 vdekje. Norma e incidencës së virusit ka qenë e qëndrueshme me një mesatare prej 128 infeksione nga 100,000 njerëz në 14 ditët e fundit, por ministria e Shëndetësisë paralajmëroi se ka parë një ndryshim në trend, që pritet të sjellë një rritje të infeksioneve.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.