Spanja kërkon të qetësojë Algjerinë pas kërcënimit për të shkurtuar furnizimet me gaz natyror!
Spanja e ka siguruar Algjerinë se nuk do të dërgojë furnizimet e saj të importuara me gaz natyror në Marok ose “një destinacion të tretë”. Autoritetet algjeriane kanë kërcënuar se do të pezullojnë eksportet e saj të gazit në Spanjë, mes çmimeve të larta të nxitura nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Spanja ka qenë në bisedime me Marokun për të ndihmuar fqinjin e saj afrikano-verior të rrisë furnizimet e tij me gaz duke lejuar Rabatin të përdorë objektet e tij të përpunimit dhe një tubacion ekzistues që kalon ngushticën e Gjibraltarit. Algjeria dhe Maroku janë megjithatë në mes të tensioneve diplomatike dhe eksportet e gazit nga Algjeri u ndërprenë vitin e kaluar.
Spanja gjithashtu importon gaz natyror nga Algjeria dhe tha në shkurt se do të ndihmonte Marokun “të garantonte sigurinë e tij energjetike”. Në një deklaratë të mërkurën vonë, ministria e energjisë e Algjerisë paralajmëroi se furnizimet me gaz që ajo dërgon në Spanjë mund të pezullohen nëse ai gaz më pas devijohet diku tjetër.
Por qeveria e Spanjës ka përsëritur se “në asnjë rast gazi i blerë nga Maroku nuk do të vijë nga Algjeria”. “Aktivizimi i këtij mekanizmi është diskutuar me Algjerinë muajt e fundit”, shtoi në një deklaratë Ministria për Tranzicionin Ekologjik.
Deri në tetorin e kaluar, një pjesë e furnizimeve me gaz algjerian për Spanjën vinte nëpërmjet gazsjellësit të Magrebit Europe përmes Marokut. Maroku kishte marrë gjithashtu disa furnizime për të prodhuar 10% të energjisë elektrike të tij përpara se Algjeria të vendoste t’i jepte fund marrëveshjes 25-vjeçare të shpërndarjes së gazit gushtin e kaluar.
Tani, gazi algjerian arrin në Spanjë nëpërmjet një tubacioni më të gjatë direkt në Almeria në bregun juglindor spanjoll. Ndërsa vendet europiane kërkojnë alternativa ndaj gazit rus në mes të luftës në Ukrainë, furnizimet nga Algjeria kanë marrë një rëndësi të shtuar.
Spanja është lider në energjinë e erës dhe diellore, por vazhdon të mbështetet shumë në importet e energjisë, me Algjerinë që siguron më shumë se një të katërtën e gazit të saj natyror. Por ngrirja diplomatike midis Marokut dhe Algjerisë e ka detyruar Spanjën në një akt delikat balancues.
Grindja midis Rabatit dhe Algjerit përqendrohet në rajonin e diskutueshëm të Saharasë Perëndimore, një ish-koloni spanjolle në Afrikën e Veriut që u aneksua nga Maroku në 1976. Algjeria mbështet lëvizjen e pavarësisë së Frontit Polisario në Saharanë Perëndimore. Në mars, ajo tërhoqi ambasadorin e saj në Madrid në shenjë proteste kur Spanja mbështeti një plan maroken për t’i dhënë më shumë autonomi territorit të kontestuar. AP
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.