Spanjë, përfundon gjendja e emergjencës. Hapen kufijtë për shumicën e vendeve të BE, përfshirë Britaninë
Pasagjerët me maska kanë mbërritur në aeroportin kryesor të Madridit ditën e Diel, ndërkohë që Spanja hapi kufijtë ndaj pjesës më të madhe të shteteve europiane dhe përfundoi gjendjen e emergjencës kombëtare. Kufijtë spanjollë janë tashmë të hapura ndaj të gjithë vendeve të Bashkimit Europian, përveç Portugalisë, si dhe ndaj të gjithë anëtarëve të zonës Schengen dhe Britanisë, në përpjekje për të nxitur turizmin që përbën 12% të ekonomisë.
Turistët britanikë do të lejohen pa i’u nënshtruar karantinës. Spanjollët janë lejuar gjithashtu të lëvizin lirshëm në të gjithë vendin për të parën herë që prej 14 Marsit, ku njerëzit ishin të detyruar të qëndronin në provincat e tyre. Në Aeroportin ndërkombëtar të Madridit, Adolfo Suarez-Barajas, kishte një ndjesi të dukshme të lirisë tek pasagjerët, ku shumica po udhëtonin për të takuar të afërmit e tyre. Të gjithë pasagjerët do të jenë subjekt i kontrollit të temperaturës, dhënies së informacionit mbi nga kanë ardhur dhe ku do të qëndrojnë në Spanjë, në rast se duhet të gjurmohen.
Kufijtë spanjollë me Portugalinë fqinje do të rihapen më 1 Korrik. Shenjat orientuese në dysheme tek zona e të mbërriturve, kërkonin përputhjen me masat e distancimit social. “Ne do të lejojmë vizitorë britanikë në Spanjë, ashtu se pjesën tjetër të BE dhe zonës Schengen nga data 21 Qershor, pa nevojë të karantinës”, tha ministrja e Jashtme, Arancha Gonzalez. Megjithatë, masat e karantinës të Britanisë, kërkojnë një periudhë 2 javore të vetë-izolimit për pjesën më të madhe të njerëzve që hyjnë në vend, çka mund të pengojë turistët. Britania pritet të rishikojë rregullat e karantinës më 29 Qershor.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.