Spanjollët votojnë sot-Kryeministri socialist, Pedro Sanchez, në avantazh
Spanjollët japin verdiktin e tyre përfundimtar të Dielën, nëse kryeministri socialist Pedro Sanchez duhet të formojë një qeveri të re, pas kolapsit të administratës së tij të parë. Qeveria e tij e parë zgjati më pak se 1 vit. Janë rreth 37 milionë votuesit me të drejtë vote.
Rezultatet e para për 350 vendet në kongres dhe 208 vendet në senat do të dalin që sonte në mbremje, pak kohë pasi të mbyllen kutitë e votimit, duke dhënë një sinjal të parë të qartë të tendencës së votuesve.
Pritshmëritë ndërkohë flasin në emër të socialistit Pedro Sanchez. Kryeministri aktual i Spanjës ka arritur të bindë pjesën më të madhe të spanjollëve. Që prej kohës kur thirri zgjedhje të përgjithshme, ai dhe partia e tij janë rritur ndjeshëm nëpër sondazhe.
Kryeministrit i duhen të paktën 176 vende në Kongres për të arritur mazhorancën parlamentare, pa i`u dashur të mbështetet te separatatistët katalanë, të cilët e ndihmuan për të marrë pushtetin vitin e kaluar. Edhe për investitorët dhe tregjet, fitorja e Sanchez është më e preferuara, pasi projekti i tij për të ndërtuar një qeveri stabël mund të sjellë siguri për ta.
Destabiliteti “mbretëron” në Spanjë që prej vitit 2015, kur Mariano Rajoy humbi pushtetin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.