‘Spastrim kulturor’, paralajmëron UNESCO: Trashëgimia e Ukrainës është në rrezik!
Agjencia kulturore e OKB-së ka paralajmëruar se vendet kryesore historike në Ukrainë janë në rrezik të dëmtohen dhe madje të shkatërrohen ndërsa Rusia vazhdon ofensivën e saj. Shkatërrimi i qëllimshëm i trashëgimisë së një vendi apo kulture është një krim lufte.
UNESCO thotë se shënjestrimi i vendeve kulturore ka evoluar në një taktikë lufte për të dëmtuar dhe për të shkatërruar shoqëritë për një periudhë të zgjatur. Dhe në një fjalim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në vitin 2015, ish-drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova e përshkroi atë si “spastrim kulturor”.
UNESCO i kërkon Rusisë të përmbahet nga synimi i vendeve kulturore
Ukraina dhe Rusia kanë lidhje të ngushta kulturore dhe fetare, por që kur Rusia pushtoi për herë të parë Ukrainën në vitin 2014, një përçarje e pjesshme është zhvilluar midis kishave ortodokse të të dy vendeve. Në vitin 2019, Kishës Ortodokse të Ukrainës iu dha pavarësia nga Patriarku Ekumenik në Stamboll. Ajo shënoi një ndarje historike nga Rusia, të cilën udhëheqësit ukrainas e panë atëherë dhe e shohin ende sot si jetike për sigurinë e vendit.
Dekreti, i njohur si Tomos, u ka bërë presion klerikëve ukrainas që të zgjedhin midis kishave ukrainase të mbështetura nga Rusia dhe kishës së re. Kisha ukrainase kishte qenë nën patriarkanën e Moskës për shekuj, por që kur Ukraina u bë e pavarur në 1991, tensionet u grumbulluan dhe më pas u intensifikuan në 2014 me aneksimin rus të Krimesë.
Me këto tensione politike dhe fetare në mendje, drejtori i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s Lazare Eloundou është veçanërisht i shqetësuar ndërsa luftimet janë afër Kievit. Eloundou u ka kërkuar të gjitha vendeve anëtare të UNESCO-s, përfshirë Rusinë, të mos synojnë asnjë vend kulturor.
Ndërkohë, zyrtarët e kulturës ruse kanë kërkuar që veprat kryesore të artit që aktualisht janë huazuar në galeritë në Milano të kthehen. Ato përfshijnë “Gruaja e re me kapele me pupla” të artistit të Rilindjes Titian, e cila i përket Muzeut Hermitage në Shën Petersburg.
Ministri i Kulturës i Italisë Dario Franceschini tha në fillim të kësaj jave se “duket evidente se kur pronari kërkon që veprat e tyre të kthehen, ato duhet të kthehen”. Ministria tha se aktualisht është duke vëzhguar se cilat vepra arti italiane janë huazuar në muzetë rusë.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.