Spekulimi me domainet, AKEP: Adresat nuk mund të shiten
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka marrë një vendim që synon t’i japë fund spekulimit me emrat e domaineve.
Duke marrë shkas nga një ankesë e botuesit të gazetës Koha Jonë, Këshilli i Drejtues i AKEP ka vendosur që blerja e domaineve të markave ekzistuese në treg, me qëllim rishitjen e tyre te zotëruesi i markës, përbën shkelje të rregullores për regjistrimin dhe posedimin e domaineve në zonën “.al”.
Sipas kësaj rregulloreje, subjekti që e regjistron domainin ka të drejtë ta mbajë atë në përdorim, por jo ta nxjerrë në ankand apo ta shesë te palë të treta. AKEP ka vendosur një periudhë kalimtare për t’iu mundësuar subjekteve të drejtën për të regjistruar si domaine, emrat me të cilët njihen për shkak të veprimtarisë që ushtrojnë, sipas regjistrimit të kryer në Qendrën Kombëtare të Biznesit, apo regjistrimeve të kryera për dhënien dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale.
Gjithashtu, AKEP do të pezullojë regjistrimin e domaineve të tjerë që nuk i takojnë poseduesit të markës tregtare apo subjektit që mban emrin përkatës, të regjistruar ligjërisht.
Blerja e domaineve me qëllim shitjen e tyre është një praktikë që ndiqet prej vitesh në të gjithë Botën. Por, në rastet kur emrat e domaineve i takojnë një biznesi apo marke ekzistuese, çështja bëhet objekt lufte ligjore dhe shpeshherë përfundon në gjykata.
Legjislacioni për mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe industriale, në këto raste, përgjithësisht i jep të drejtë zotëruesit ligjor të markës apo emrit të biznesit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.