Spitali i Vlorës pajiset me aparatura të reja – Manastirliu: Këtë vit rikonstruktojmë plotësisht Poliklinikën
Spitali Rajonal i Vlorës është pajisur me aparatura të teknologjisë së lartë që kapin vlerën e 608 mijë euro. Konkretisht, janë instaluar mamografia e re, grafia dixhitale, grafia e lëvizshme, aparati i ri i anestezisë në sallat e operacionit, inkubatorë në neunatologji si dhe një sërë aparaturash të tjera moderne.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi investimet e kryera në këtë spital. Ky i fundit është edhe një nga përfituesit më të mëdhenj të programit kombëtar të investimit në spitalet rajonale.
“4.5 milion euro po investojmë për të rritur cilësinë e shërbimit në spitalet rajonale për diagnostikimin dhe trajtimin më të mirë përmes aparaturave të teknologjisë së lartë”, deklaroi Manastirliu.
Po ashtu, ajo shtoi më tej se krahas investimeve, këtë vit do të kryhet edhe rikonstruksioni i plotë i Poliklinikës në Vlorë, e cila do të pajiset me aparatura të reja.
“Rreth 112 milion lekë është investimi që do ti ndryshojë faqe poliklinikës në zemër të qytetit dhe do të garantojë shërbim me cilësi për qytetarët e Vlorës”, tha ministrja.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.