Stabilizohet tregu i naftës – Arabia Saudite: Në fund të shtatorit prodhimi rikthehet i plotë
Nafta po qëndron në rritje gjatë sesionit të sotëm, pas disa ditësh në paqëndrueshmëri të lartë, si pasojë e sulmeve ndaj industrisë së naftës në Arabinë Saudite. Tregjet e mirëpritën angazhimin e mbretërisë për të rikthyer prodhimin e plotë deri në fund të shtatorit. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 63.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 58.3 dollarë për fuçi.
Arabia Saudite, që është eksportuesi më i madh i naftës në botë, deklaroi se sulmet ndaj fabrikave të përpunimit të naftës ishin sponsorizuar padiskutim nga rivali rajonal, Irani. Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ekzistojnë shumë mundësi për të zhvilluar luftë me Iranin dhe urdhëroi Thesarin amerikan të shtojë sanksionet ndaj Teheranit zyrtar.
Por, Irani ka përgënjeshtruar të jetë përfshirë në këto sulme. Ndërkohë, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë deklaroi se nuk e shikon të nevojshme përdorimin e rezervave strategjike të naftës, pasi tregu është i furnizuar mirë. Në një kohë që tensionet në Lindjen e Mesme janë të larta, përgjigja e Shtëpisë së Bardhë ndaj Iranit, pas publikimit të provave, tregonte që qasje më të matur në trajtimin e çështjeve të rajonit. Për shkak të sulmeve në Arabinë Saudite, sektori i naftës në Kuvajt është në gatishmëri të lartë.
Ndërkohë, referuar të dhënave zyrtare në SHBA, rezervat e naftës u rritën me 1.1 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 13 shtator, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 2.5 milionë fuçi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.