“Stafi mjekësor i pavaksinuar, i papranueshëm!” – Ministri gjerman i shëndetësisë mbron detyrimin e vaksinimit dhe kufizimet
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, mbrojti kufizimet ndaj të pavaksinuarve dhe detyrimin e injeksioneve ndaj Covid-19 për stafin mjekësor, që pritet të kalojë së shpejti në parlament. “Është absolutisht e papranueshme që në ambiente ku njerëz jetojnë, që kanë besim tek ne për t’i mbrojtur, ata po vdesin në mënyrë të panevojshme, për shkak se të pavaksinuarit punojnë atje”- tha Lauterbach në dhomën e ulët të parlamentit. Gjermania, në kulm të valës së katërt të infeksioneve, ka një normë relativisht të ulët të vaksinimeve krahasuar me pjesën tjetër të Europës.
Rreth 69.4% e popullsisë është tërësisht e vaksinuar, ndërsa 21.3% kanë marrë një dozë nxitëse. Instituti Robert Koch për Sëmundje Infektive raportoi 61,288 infeksione të reja nga koronavirusi dhe 484 vdekje ditën e Premte. Përtej vaksinimeve të detyruara për disa profesione të caktuara nga mesi i muajit Mars, ligji i ri lejon gjithashtu 16 shtetet federale të Gjermanisë që të aplikojnë masa më të ashpra të kufizimeve, për të frenuar infeksionet. Sipas sondazheve në vend, thuajse 70% favorizojnë detyrimin e vaksinave, një hap që mbështetet nga kancelari Olaf Scholz, dhe mund të aplikohet nga fundi i muajit Shkurt.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.