Starton reforma zgjedhore/Hajdari: 1 mln euro për mandat, të rrëzojmë tregun e votës
Komisioni për reformën zgjedhore zhvilloi mbledhjen e tij të parë në pasditen e të martës. Bashkëkryetarja që përfaqëson opozitën parlamentare, Rudina Hajdari, tha se sistemi aktual nuk ofron mundësi të barabarta përfaqësimi dhe është përdorur nga partitë politike si industri e riciklimit të pushtetit. Sipas saj, reforma duhet të synojë të përmbysë sistemin që kontrollohet nga kryetarët e partive dhe që mbështetet në një treg të zi të shit-blerjes së votës.
Bashkëkryetari i mazhorancës, Damian Gjiknuri, theksoi edhe njëherë se mazhoranca është e vendosur të vazhdojë punën për reformën edhe pa praninë e opozitës jashtë parlamentare. Ai kërkoi mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare për të siguruar një sistem zgjedhor sa më të drejtë dhe përfaqësues.
Në mbledhjen e parë të Komisionit morën pjesë edhe përfaqësuesit e ambasadave të huaja në Shqipëri. Ata shprehën mbështetjen për reformën zgjedhore dhe kërkuan që ajo të ecë me hapa të shpejtë, për të prodhuar rezultate në kohë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.