“Statistikat e krimit për tremujorin e III 2017”, INSTAT: Regjistrohen 9.900 vepra penale me 10.068 autorë
Instituti i Statistikave ka publikuar përmes një raporti, statistikat e krimeve për tremujorin e tretë të vitit 2017. Konkretisht në statistikat e krimeve evidentohet edhe numri i veprave penale krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Sipas INSTAT në tremujorin e tretë 2017 janë kryer 9.900 vepra penale, rreth 10,3 % më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ndërkohë që janë regjistruar 10.068 autorë të veprave penale, të cilët janë 23,8 % më shumë krahasuar me tremujorin e tretë 2016.
“Pjesën më të madhe të veprave penale e zënë “Krimet kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike” me 40,3 %, “Krimet kundër autoritetit të shtetit” me 38,3 %, dhe “Krimet kundër personit” me 19,0 %”, thuhet në raportin e INSTAT.
Në tabelën e publikuar nga Instituti i Statistikave raportohet se veprat penale kundër personit në T3 2017 janë 1884 me 2212 autorë, veprat penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, 3993 me 3506 autorë, vepra penale kundër mjedisit, 107 me 123 autorë; krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues 1 vepër penale me një autor. Në aktet terroriste vihet re një ulje e numrit të veprave penale të këtij lloji për T3 2017, me 5 vepra të evidentuara dhe me 3 autorë.
Krimet kundër autoritetit të shtetit janë në uljes sërish për T3 2017 me 3798 vepra të evidentuara, me 4093 autorë. Veprat penale kundër drejtësisë janë 1010 me 130 autorë, veprat penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale mbetet në të njëjtin nivel si në 2016 me 2 me zero autorë për këtë vit, ndryshe nga 2016 e cila kishte 12 autorë për të njëjtën periudhë. Për krime kundër njerëzimit, krime që cenojnë marrëdhënie me shtetet e tjera, vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve janë evidentuar 0 vepra penale me 0 autorë të ndaluar apo të shpallur në kërkim.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.