Statistikat financiare, Sejko: Duhet të ndjekin zhvillimin e tregjeve
Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Qendrore Evropiane organizuan të mërkurën në Tiranë një seminarin rajonal në fushën e statistikave të bankës qendrore.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se kriza financiare ka rritur presionin për të siguruar statistika më cilësore dhe të besueshme. Sipas tij, zhvillimi i shpejtë i tregjeve financiare kërkon që statistikat të ecin me të njëjtin hap.
Guvernatori Sejko theksoi se analizat e bankave qendrore po mbështeten gjithnjë e më shumë te modelet komplekse, të cilat mundësojnë analizën e njëkohshme të ekonomisë reale, tregjeve financiare dhe ndërlidhjeve me partnerët e huaj.
Për këtë arsye, cilësia dhe besueshmëria e informacionit statistikor ka rëndësi të veçantë.
Prej një viti, Shqipëria zbaton Sistemin e Përmirësuar të Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme të FMN-së dhe është angazhuar në përmbushjen e disa kërkesave të rrepta për prodhimin, shpërndarjen dhe dokumentimin e të dhënave statistikore.
Ky proces ka sjellë një përmirësim dhe pasurim të ndjeshëm në statistikat zyrtare të prodhuara nga Instituti i Statistikave, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.