Statistikat për 2018: Blegtoria në rënie, rritet prodhimi bujqësor
Në 2018 është konstatuar një tendencë në rënie e numrit të krerëve të blegtorisë. Sipas INSTAT, krahasuar me një vit më parë rënie ka pësuar numri i gjedhëve me rreth 1,7 %, numri i të leshtave me 3,2 % dhe numri i të dhirtave me 1,7 %.
Megjithatë, ka shënuar rritje numri i shpendëve me 6,7 % dhe numri i derrave me rreth 2,2 %. Sipas statistikave një vëmendje të veçantë po merr mbarështimi bletëve ku vërehet një zgjerim i aktivitetit të fermerëve në disa zona të vendit. Prodhimi i mjaltit ka shënuar një rritje me 8,9 %, gjatë 2018 krahasuar me 2017, ndjekur nga prodhimi i vezëve me 2,0 % dhe prodhimi i mishit me 0,1 %. Prodhimi i qumështit, nga ana tjetër ka pësuar një rënie me 1,0 % krahasuar me vitin 2017 dhe ndërkohë struktura e prodhimit të qumështit është: qumësht lope 85,1 %, qumësht dele 7,4 %, qumësht dhie 7,5 %.
Pavarësisht shifrave në rënie të blegtorisë, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me bujqësinë. Sipas INSTAT, vihet re një tendencë në rritje e prodhimit bujqësor. Prodhimi i perimeve është rritur me 1,24 % në 2018 krahasuar me 2017. Rritje ka pasur edhe prodhimi i fasules dhe patates me respektivisht 15,8 % dhe 1,9% krahasuar me të njëjtën periudhë kohore. Megjithatë ka pësuar rënie me 3.3% prodhimi i drithërave. Rënie të lehtë ka pasur edhe në prodhimin e bimëve aromatike, mjekësore dhe erëzave të gatimit me 2,1 %, krahasuar me një vit më parë i cili arriti në 12.531 ton.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.