Statusi i ndërmarrjes sociale – Udhëzimi, përcaktohen procedurat dhe dokumentet
Subjektet që duan të marrin statusin e ndërmarrjes sociale duhet të ndjekin disa procedura dhe të plotësojnë dokumentacion e nevojshëm. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nxjerrë udhëzimin përkatës, se si duhet të veprojnë këto subjekte, duke plotësuar kështu kuadrin ligjor.
Sipas udhëzimit të botuar në Fletoren Zyrtare, organizata jofitimprurëse me anë të një kërkese në formë të shkruar duhet ti drejtohet kwsaj ministie dhe kwrkesa duhet të përmbajë edhe një përshkrim të shkurtër të veprimtarisë së organizatës dhe parashtrim të arsyeve se si organizata përmbush kriteret ekonomike dhe sociale të parashikuara në ligj për ndërmarrjet sociale.
Kur një ndërmarrje sociale ushtron veprimtari për të cilat nevojitet licencë, pajisja me licencë, duhet të sigurohet përpara aplikimit për marrjen e statusit. Krahas kërkesës, subjektet e interesuara duhet të paraqesin gjithashtu: Një vërtetim të lëshuar, nga Zyra e Regjistrimit të OJF-ve te Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë; Një kopje të statutit dhe aktit të themelimit; Një vendim të organit më të lartë vendimmarrës të organizatës jofitimprurëse ku të shprehet qëllimi i organizatës për marrjen e statusit të ndërmarrjes sociale; Dokumente të tjera që vërtetojnë përmbushjen e kritereve ekonomike e sociale; Kopje të licencës, nëse do të jetë rasti; Kopje të pasqyrave financiare të vitit paraardhës në rast se organizata e ushtron aktivitetin prej më shumë se një viti. Kërkuesit njoftohen për vendimin e njohjes apo refuzimit të statusit, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesë.
Sipas ligjit në fuqi, ndërmarrjet sociale promovohen me anë të zbatimit të masave mbështetëse, të cilat përfshijnë masa financiare e të tjera.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.