Stellantis, në tregun e makinave elektrike / Prodhuesi i 4-t më i madh i makinave do të investojë 30 miliard euro
Stellantis, prodhuesi i 4-t më i madh në botë i makinave, bëri të ditur se planifikon të investojë mbi 30 miliardë euro deri në vitin 2025, në elektrifikimin e automjeteve. Kompania, e formuar në Janar nga shkrirja e Fiat Chrysler me Peugeot- Citroën, theksoi se strategjia do të mbështetet nga 5 fabrika të baterisë në Europë dhe Amerikës së Veriut, ndërkohë që përgatitet të konkurrojë me liderin e tregut, Tesla, dhe firma të tjera në botë. “Kjo periudhë e transformimit është një mundësi e jashtëzakonshme për të nisur një garë të re”- tha ekzekutivi i Stellantis, Carlos Tavares.
Kompania deklaroi se synon që mbi 70% e shitjeve në Europë dhe mbi 40% në SHBA, të jenë nga makina me emetime të ulëta të gazrave ndotës, qoftë me bateri apo hibride, deri në vitin 2030. Sipas lajmërimit, të gjithë 14 markat që zotëron, përfshirë Peugeut, Jeep, Ram, Fiat dhe Opel, do të ofrojnë makina tërësisht elektrike. Kompania theksoi se një prej 5 fabrikave do të jetë në njësinë e motorëve në Termoli, Itali, duke i’u bashkuar fabrikave të lajmëruara më parë në Gjermani dhe Francë. Stellantis synon të sigurojë mbi 130 gigawatt/prw të kapacitetit të baterisë deri në vitin 2025 dhe mbi 260 GWh, deri në 2030-n.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.