Stop vezëve shqiptare? Britania: Konkurrencë e pandershme dhe pasiguri ushqimore
Në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Bashkimin Europian, një ligj i cili daton që prej vitit 2012, nuk lejon shitjen e vezëve të pulave që rriten në kafaz. Por, duket se ky ligj nuk ndalon produktet e importit, e kryesisht ato që i referohen vezëve të përpunuara, pluhur apo lëng, që shërbejnë për ëmbëlsira, apo produkte të tjera.
Gjatë ditëve të fundit në Mbretëri po bën jehonë një debat i gjerë mbi këtë çështje. Jo vetëm prodhuesit apo fermerët, por edhe autoritetet kërkojnë që vezët e importit të jenë të garantuara.
Një prej katër vendeve problematike që eksporton vezë dhe nën-produkte të saj, është edhe Shqipëria, sëbashku me Indinë, Brazilin dhe Tailandën.
Në këto katër vende, vezët prodhohen në kushte që janë tërësisht larg standardeve europiane, në fuqi prej janarit të vitit 2012 nëpërmjet një direktive të Brukselit.
Ligji nuk i detyron prodhuesit britanikë të deklarojnë origjinën e vezëve të përdorura, gjë e cila shqetëson së tepërmi autoritetet dhe fermerët, të cilët i tremben konkurrencës së pandershme. Vezët e importit jo vetëm që dëmtojnë konkurrencën vendase, e cila është e detyruar të prodhojë në bazë të rregullave striktë, por edhe vë në rrezik sigurinë ushqimore.
Drejtues të autoritetit të ushqimit dhe të kafshëve shprehen se, ndërkohë që nëpër dyqane do të jetë e ndaluar shitja e vezëve të pulave të rritura në kafaz brenda vitit 2025, për prodhuesit nuk ka asnjë ndalim. Edhe drejtues të lartë të Komisionit Europian e pranojnë problemin, i cili nuk i takon vetëm Britanisë.
“Ne importojmë sasi mjaft të mëdha të vezës pluhur, që përdoret kryesisht në industrinë e tortave, biskotave dhe ëmbëlsirave të tjera të konfeksionuara. Disa vende nuk janë të detyruara të kenë kriteret dhe rregullat tona të rritjes së pulave”-deklaroi një drejtues i lartë i autoritetit europian të sigurisë ushqimore.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.