Strategjia e energjisë 2018-2030 – Investimet në total 2.7 mld euro, reduktohen humbjet, rriten arkëtimet
Investimet për sektorin energjetik do të arrijnë në 2.7 miliardë euro për periudhën 2018-2030. Kjo strategji ka si qëllim që të reduktojë humbjet, të rrisë arkëtimet si dhe të hap tregun e energjisë elektrike në 100% deri në vitin 2025. Reduktimi i humbjeve mendohet të jetë nga 26.4% në vitin 2017 në 10% në vitin 2030.
Ndërsa rritja e arkëtimeve të energjisë elektrike nga 90% në vitin 2018 mendohet ët shkojë në 98% në vitin 2030.
Një rëndësi e veçantë do ti kushtohet edhe hapjes së tregut të energjisë elektrike me 100% në vitin 2025, e në të njëjtën kohë do të ndërtohet një skemë e thjeshtë dhe e zbatueshme në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve familjarë me të ardhura të ulëta.
Në këtë kuadër qeveria e Shqipërisë në bashkëpunim me qeverinë Kosovës, me mbështetjen e USAID-it dhe Sekretariatit të Energjisë po punojnë për integrimin e tregjeve të energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës, krijimin e Bursës Shqiptare të energjisë elektrike me objektiv afatgjatë integrimin e tregjeve tona në tregun evropian.
Sa i përket konsumit të energjisë elektrike sipas strategjisë mendohet që të jetë në total 15% në vitin 2030. Energjia e rinovueshme kundrejt konsumit total është targetuar që të arrijë në nivelin 42% në vitin 2030.
Strategjia Kombëtare e Energjisë është hartuar në mënyrë të tillë që të ketë një ndikim minimal në shpenzimet publike, meqenëse investimet e kërkuara janë projektuar që të sigurohen nga burime private, donatorët, bankat e zhvillimit etj.
Modeli i ri i Tregut do të lehtësojë konkurrencën e përmirësuar, së pari në tregun me shumicë, dhe më pas në tregun me pakicë. OSHEE-ja do të mbajë biznesin e saj të furnizimit, dhe do të ekspozohet ndaj konkurrencës nga furnizues të rinj që mund të hyjnë në treg për të furnizuar konsumatorët fundorë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.