Strategjia e Zhvillimit Ekonomik 2020-2025, Ministria e Financave do të pajtojë konsulentë
Ministria e Financave dhe Ekonomisë kërkon të hartojë strategjinë për zhvillimin ekonomik të vendit për periudhën 2020-2025 dhe kërkon shërbim konsulence në këtë drejtim nga një ekip ekspertësh vendas apo të huaj. Procedura e tenderimit të shërbimit është hapur ditën e martë dhe parashikon një fond limit prej 22.5 milionë lekësh, për një kontratë me afat 18 muaj.
Dokumenti që do të hartohet do të synojë të përcaktojë politikat që duhen ndjekur për të rritur nivelin e produktivitetit në ekonomi, për të rritur mirëqenien sociale dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare në nivel rajonal dhe më gjerë.
Strategjia e Zhvillimit Ekonomik (SFE) do të ndjekë edhe linjën e dokumenteve të tjera të miratuara si strategji kombëtare, si ajo për zhvillimin e integrimin, ajo për zhvillimin e biznesit dhe investimeve, axhenda dixhitale e Shqipërisë dhe strategjia për Menaxhimin e Financave Publike. Këto strategji, si dhe strategji të tjera sektoriale kanë një afat të përbashkët përfundimi, vitin 2020, kur SFE do të duhet të ketë nisur për të plotësuar boshllëkun.
Grupi i ekspertëve që do të hartojnë vizionin e ekonomisë për pesëvjeçarin e parë të dekadës së ardhshme, do të përbëhet nga një lider ekipi, i cili do të angazhohet në rreth 136 ditë me hartimin dhe asistencën në zbatimin e SFE; dy ekspertë me eksperiencë, secili me nga një punë 90 ditore, si dhe nga ekspertë mbështetës.
Pas nënshkrimit të kontratës me fituesin, ky i fundit do të ketë afat deri më 10 dhjetor 2018 për të dorëzuar draftin e parë të strategjisë për zhvillimin ekonomik. Në muaj në vijim drafti i rishikuar dhe plan veprimi do të kalojnë në proceset e konsultimit, deri në dorëzimin e versionit final më 20 nëntor 2019.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.