Strategjia “Marko Polo” e presidentit Xi Jingping
Projekti “Një Brez-Një Rrugë” dhe sfidat e tij
Në muajin maj, presidenti kinez, Xi Jinping, kryesoi forumin tej mase të orkestruar “Një Brez-Një Rrugë” në Pekin. Në eventin 2-ditor morën pjesë krerët e 29 shteteve, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin, dhe 1.200 delegatë nga mbi 100 vende. Xi Jingping e quajti nismën “Një Brez – Një Rrugë”, “projektin e shekullit”. 65 vendet e përfshira përbënin dy të tretat e sipërfaqes së tokës dhe përfshinin gjithashtu rreth katër miliardë e gjysmë njerëz.
Fillimisht, i njoftuar në vitin 2013, plani i Kinës për të integruar Eurozinë, nëpërmjet 1 trilion dollarë investime në infrastrukturë që shtrihet nga Kina në Europë, drejt Azisë Juglindore dhe Afrikës Lindore, është cilësuar plani i ri “Marshall” i Kinës dhe përpjekje për një strategji madhore. Disa vëzhgues, gjithashtu, e panë forumin si pjesë e përpjekjeve të Xi Jingping për të mbushur vakumin nga braktisja që Donald Trump i bëri marrëveshjes tregtare të Partneritetit Trans-Paqësor, të iniciuar nga Barack Obama. Nisma ambicioze e Kinës do të siguronte autostrada shumë të nevojshme, hekurudha, tubacione gazi dhe nafte, porte dhe centrale elektrikë në vendet e varfëra.
Marrëveshja, gjithashtu, do të inkurajonte firmat kineze që të rrisin investimet e tyre në portet dhe hekurudhat europiane. “Brezi” do të përfshinte një rrjet masiv të autostradave dhe lidhjeve hekurudhore nëpërmjet Azisë Qendrore. Fjala “rrugë” i referohet një serie itineraresh detare dhe portesh ndërmjet Azisë dhe Europës. Sigurisht, motivet e Kinës nuk janë pastërtisht dashamirëse. Rialokimi i aseteve të gjera të këmbimit valutor të Kinës nga bonon amerikane të thesarit me yield-et e ulëta drejt investimeve infrastrufkturore, bën kuptim dhe krijon tregje alternative për mallra kineze. Me çelikun kinez dhe firmat kineze të çimentos që vuajnë nga mbikapaciteti, firmat kineze të ndërtimit do të përfitojnë nga investimet e reja. Dhe teksa manifaktura kineze lëviz drejt provincave më pak të aksesueshme, lidhjet e përmirësuara të infrastrukturës drejt tregjeve ndërkombëtare i përshtatet nevojave të zhvillimit të Kinës. Por, a është kjo më tepër “tym i marrëdhënieve me publikun” sesa “zjarr investimesh”?
Sipas Financial Times, investimet nën nismën e Xi Jingping ranë gjatë vitit të kaluar, duke rritur dyshimet nëse edhe sipërmarrjet tregtare janë po aq të angazhuara sa edhe qeveria. Pesë trena plot me ngarkesë nisen nga Chongqing për në Gjermani çdo javë, por vetëm një tren kthehet i mbushur plot. Transportimi i mallrave në rrugë tokësore nga Kina drejt Europës është ende dy herë më i shtrenjtë se tregtia nëpërmjet detit. Siç thekson Financial Times, ky plan është fatkeqësisht më pak një plan praktik për investime, sesa një vizion i gjerë politik”. Krahas kësaj, ka një rrezik të huave dhe të borxheve të pashlyera nga projekte që dalin se janë “elefantë të bardhë” ekonomikë, dhe konfliktet e sigurisë mund të vënë në diskutim projektet që kapërcejnë një numër të madh kufijsh sovranë. India nuk është e lumtur që të shohë një prezencë më të madhe kineze në Oqeanin Indian, ndërsa Rusia, Turqia dhe Irani kanë agjendat e tyre në Azinë Qendrore.
A do të ketë sukses si një strategji madhore?
Kina po vendos një bast, mbi një presupozim të vjetër gjeopolitik. Një shekull më parë, teoricieni gjeopolitik britanik, Halford Mackinder, argumentoi se, cilido që kontrollonte ishullin botëror të Eurazisë do të kontrollonte të gjithë botën.
Strategjia amerikane, në kundërdallim, ka favorizuar prej kohësh kuptimet gjeopolitike të admiralit të shekullit të 19, Alfred Mahan, i cili theksonte fuqinë detare dhe rajonet periferike me domethënie politike apo strategjike. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Goerge F. Kennan përvetësoi përqasjen e Mahanit, për të zhvilluar strategjinë e tij të Luftës së Ftohtë, mbi përmbajtjen e Bashkimit Sovjetik. Ai argumentoi se, nëse SHBA hyn në aleancë me ishujt e Britanisë dhe Japonisë dhe gadishullin e Europës Perëndimore në dy skajet e Eurazisë, SHBA mund të krijonte një ekuilibër të fuqisë globale, që do të ishte i favorshëm për interesat amerikane.
Pentagoni dhe Departamenti amerikan i Shtetit janë ende të organizuara përgjatë këtyre linjave, me një vëmendje të vogël të kushtuar ndaj Azisë Qendrore. Shumë gjëra kanë ndryshuar në epokën e internetit, por gjeografia ka ende rëndësinë e saj, pavarësisht nga vdekja e pretenduar e distancës. Në shekullin e 19, një pjesë e madhe e rivalitetit gjeopolitik, shtillej rreth “Çështjes Lindore”, se kush do të kontrollonte zonën e qeverisur nga Perandoria Osmane që po shkatërohej. Projektet infrastrukturore, si hekurudha Berlin-Bagdad, zgjuan tensione midis Fuqive të Mëdha. A do të zëvendësohen tani ato konflikte gjeostrategjike nga “Çështja Euraziatike”? Me projektin “Një Brez-Një Rrugë “, Kina po vë bast mbi Mackinder dhe Marco Polo. Por, itinerari në rrugë tokësore përgjatë Azisë Qendrore do të ringjallë “lojën e madhe” për influencë, të shekullit të 18 që përfshiu Britaninë dhe Rusinë, si dhe perandoritë e dikurshme, Turqinë dhe Iranin. Në të njëjtën kohë, “rruga detare” përgjatë Oqeanit Indian, thekson rivalitetin me Indinë, me tensionet që po shfaqen në portet dhe rrugët kineze e deri në Pakistan. Azia ka ekuilibrin e vet të pushtetit dhe as India, Japonia dhe Vietnami nuk e duan dominimin kinez.
Ata e shohin Amerikën si pjesë të zgjidhjes. Politika amerikane nuk është përmbajtje e Kinës. Dëshmi për këtë është qarkullimi masiv i tregtisë dhe studentëve ndërmjet vendeve. Por, teksa Kina, e magjepsur nga një vizion i madhështisë kombëtare, angazhohet në mosmarrëveshjet territoriale me fqinjët e saj detarë dhe ka prirjen që t’i shtyjë ata drejt krahëve të Amerikës. Dhe vërtet, problemi i vërtetë i Kinës është “vetëpërmbajtja”. Madje, edhe në epokën e internetit dhe mediave sociale, nacionalizmi mbetet një forcë nga më të mëdhatë. Në tërësi, Shtetet e Bashkuara duhet ta mirëpresin këtë projekt të Kinës.
Sikundër ka argumentuar, Robert Zoellick, ish-përfaqësues tregtar i SHBA dhe ish-president i Bankës Botërore, në qoftë se një Kinë në ngritje kontribuon për sigurimin e të mirave publike globale, atëherë SHBA duhet t’i inkurajojë kinezët që të bëhen një “aksioner i përgjegjshëm”. Për më tepër, mund të ketë mundësi për kompanitë amerikane që të përfitojnë nga këto investime. SHBA dhe Kina mund të fitojnë shumë nga bashkëpunimi mes tyre, në një larmi çështjesh ndërkombëtare, si stabiliteti monetar, ndryshimi klimatik, rregullat kibernetike dhe antiterrorizmi. Ndërkohë që “Një Brez-Një Rrugë” do ta pajisë Kinën me përfitime gjeopolitike, por edhe me kosto gjeopolitike, nuk ka të ngjarë që të bëhet një faktor përcaktues në strategjinë madhore, siç besojnë disa analistë.
Përktheu: Arjol Guni/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.