Strategjia për borxhin publik – Në vitin 2020 synohet të ulet në 63 % të PBB
Qeveria synon ta ulë borxhin publik në 63 për qind në fund të vitit 2020. Plani i qeverisë bëhet i ditur në Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2018–2020, e cila është botuar tashmë në Fletoren zyrtare.
Strategjia Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit është një plan afatmesëm nga 3-5 vite, të cilin Ministria e Financave dhe Ekonomisë synon ta implementojë duke pasur si objektiva kryesore; sigurimin e realizimit të nevojave të qeverisë për financim, si dhe të nevojave për të shërbyer borxhin aktual me kosto sa më të ulët dhe duke mbajtur nivele të papranueshme të ekspozimit ndaj rrezikut.
Qëllimi i kësaj strategjie është të menaxhojë në mënyrë efikase portofolin e borxhit të qeverisjes qendrore, në të cilin përfshihet borxhi shtetëror dhe borxhi shtetëror i garantuar;
-Të rrisë transparencën ndaj investitorëve vendas dhe të huaj në lidhje me planet e huamarrjes së qeverisë;
-Të qartësojë dhe kuantifikojë objektivat në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.
Gjatë këtij 3 vjeçari është parashikuar që të ketë dhe një shtesë financimi të huaj në formën e huave tregtare ose nëpërmjet daljes në tregjet ndërkombëtare me Eurobond. Kjo shtesë financimi vlerësohet si e nevojshme për të ulur presionin në tregun e brendshëm.
Por pavarësisht rritjes së financimit të huaj, siç thuhet në dokumentin e strategjisë 3 vjeçare, niveli i borxhit të jashtëm do të synohet të qëndrojë brenda objektivit strategjik afatmesëm për të mbajtur nën kontroll rrezikun e kursit të këmbimit.
Sipas strategjisë, në periudhën 2018-2020, tregu i brendshëm do të vazhdojë të mbetet burimi kryesor i financimit dhe do të mbulojë të terma bruto mesatarisht mbi 75 për qind të nevojave të përgjithshme të qeverisjes qendrore për hua.
Instrumentet kryesore që do të përdoren për sigurimin e financimit janë titujt shtetërorë. Ndërsa garancitë shtetërore parashikohen të kapin një interval 5%-6 % te borxhit. Shërbimi i borxhit pritet që në vitin 2020 të kape vlerën e 45 miliardë lekë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.