Strategjia për pastrimin e vendit – Klosi: Për 4 muaj lejet mjedisore, online
Brenda 4 muajve lejet mjedisore do të bëhen transparente nëpërmjet sistemit online. Gjatë një takimi me ekspertë të mjedisit një ditë para nisjes së operacionit për pastrimin e vendit, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u shpreh se situata është e menaxhueshme dhe se për çdo ndotës do krijohet një fish për të trajtuar problemin deri në eliminimin e tij .
“Në harkun kohor të katër muajve ne të kemi mundësinë të kemi një leje transparente online, të mirëpërcaktuar, që leja mjedisore të mos jetë si ajo leja që unë kam parë që të gjithë ju keni përgatitur, të jetë një pirg i madh me letra, të jetë një mal i madh me letra që askush nuk e lexon, por të jetë një strukturë inxhinierike me të dhëna konkrete, me të dhëna që duhen futur në aplikimin online, me të dhëna të cilat verifikohen lehtësisht nëse i plotësojnë apo jo kriteret për të dhënë atë leje mjedisore”, tha Klosi.
Klosi premtoi se brenda 2 viteve Shqipëria do të jetë një ndër vendet më të pastra në rajon. Ministri gjatë këtij takimi prezantoi Edison Konomin si kreun e ri të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
“Vendimmarrja e djeshme e Këshillit të Ministrave për emërimin e zotit Edison në krye të këtij institucioni kaq të rëndësishëm është bërë qartazi në kuadër të transformimit të të gjithë konceptit dhe mënyrës se si ne i përqasemi mjedisit në vendin tonë”, u shpreh Klosi.
11 projekte janë gjithsej, të cilat u diskutuan mes ekspertësh të cilat pritet të zbatohen përgjatë kohe, për të bërë të mundur evidentimin dhe eliminimin e mbetjeve në vend.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.